Neni 1 Objekti i ligjit 1. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i parimeve, rregullave, kritereve, detyrimeve, afateve dhe procedurave që duhet të ndiqen nga tatimpaguesit dhe prodhuesit e mirëmbajtësit e zgjidhjeve software-ike, lidhur me lëshimin e faturës, faturën shoqëruese dhe faturën elektronike, përmbajtjen e faturave, regjistrimin e të dhënave dhe procedurën e fiskalizimit të lëshimit të faturave, marrjen e informacionit të pagesave, cerfitikimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji. 2. Dispozitat e këtij ligji garantojnë vijimësinë e funksionimit të pajisjeve fiskale përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji. Neni 2 Fusha e veprimit Ky ligj zbatohet për: a) të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë faturë, sipas këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar; b) organet publike; c) bankat, institucionet financiare jobankare dhe subjekte të tjera, që ofrojnë shërbime pagesash të faturave elektronike. Neni 3 Përkufizime 1 Ky ligj është përafruar pjesërisht me: – Direktivën 2014/55 BE të Parlamentit Europian dhe Këshillit, datë 16 prill 2014, “Mbi faturimin elektronik në prokurimin publik”, Numri CELEX 32014L0055, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, Nr. 133, datë 6.5.2014, faqe 1–11. – Direktivën e Këshillit 2006/112/KE, datw 28 nëntor 2006 “Mbi sistemin e përbashkët të taksës mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar, Numri CELEX 320006L0012, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, Nr. 347, datë 11.12.2006,, faqe 1–118. 2 Në këtë ligj termat e mëposhtme kanë këto kuptimet: a) “Fiskalizimi i faturave në furnizimin e mallrave e të shërbimeve dhe i faturës shoqëruese” është një sërë masash të zbatuara nga tatimpaguesit, që kanë detyrimin e lëshimit të faturave dhe faturave shoqëruese, për të mundësuar kontrollin efikas të qarkullimit, të realizuar me para në dorë apo në forma të pagesave pa para në dorë dhe kontrollin e lëvizjes së mallrave. b) “Faturë” është çdo dokument në letër ose në formë elektronike, që përmbush kushtet e përcaktuara në këtë ligj dhe në legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar. c) “Faturë elektronike” është fatura e lëshuar, dërguar dhe pranuar në format elektronik, që lejon përpunimin e saj automatik dhe elektronik. ç) “Faturë shoqëruese” është një dokument transporti, që përdoret për shoqërimin e lëvizjes së mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë, kur nuk ka transferim të pronësisë mbi mallrat. d) “Lëshuesi i detyrueshëm i një fature elektronike” është personi i cili, sipas këtij ligji, është i detyruar të lëshojë faturë elektronike. Pranuesi i detyrueshëm i një fature elektronike është blerësi, sipas përcaktimeve të këtij ligji. dh) “Nënshkrimi elektronik” ka të njëjtin kuptim me atë të përcaktuar në legjislacionin për nënshkrimin elektronik dhe legjislacionin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara. e) “Numri identifikues i veçantë i faturës (NIVF)” dhe “Numri identifikues i veçantë i faturës shoqëruese (NIVFSH)” janë të dhëna të veçanta dhe të papërsëritshme alfanumerike të çdo fature dhe fature shoqëruese, të lëshuar nga tatimpaguesi. Këto të dhëna i gjeneron sistemi informatik i administratës tatimore qendrore, sipas rregullave të caktuara, nëse përmbushen të gjitha kontrollet gjatë procesit të verifikimit të faturës dhe faturës shoqëruese. ë) “Numri i sigurisë së lëshuesit të faturës (NSLF)” dhe “Numri i sigurisë së lëshuesit të faturës shoqëruese (NSLFSH)” janë të dhëna të veçanta dhe të papërsëritshme alfanumerike të çdo fature dhe fature shoqëruese. Këto të dhëna gjenerohen nga sistemi i tatimpaguesit, lëshues i faturës dhe faturës shoqëruese, duke konfirmuar lidhjen ndërmjet tatimpaguesit dhe faturës ose faturës shoqëruese të lëshuar. f) “Numri unik i identifikimit” është numri personal identifikues i një individi, ose NIPT/NUIS, me të cilin pajisen personat fizikë dhe juridikë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për regjistrimin e biznesit dhe për procedurat tatimore. Për personin jorezident, i cili nuk është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë, nuk është pajisur me numrin e tij të identifikimit ose NIPT/NUIS dhe nuk është subjekt i tatimeve në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin tatimor, për qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit, numri unik i identifikimit konsiderohet numri identifikues tatimor ose numri identifikues personal i lëshuar në vendin e tij të rezidencës. g) “Operator” është individi, që përpilon dhe lëshon fatura nëpërmjet sistemit fiskal, ose personi i autorizuar nga tatimpaguesi, që lëshon faturë, për të lëshuar fatura nëpërmjet sistemit fiskal. Në rastet e shitjeve nëpërmjet pajisjeve të vetëshërbimit (automatët), operator konsiderohet tatimpaguesi që lëshon faturën. Në rastet e lëshimit të faturës shoqëruese, operatori është individi, i cili lëshon faturën shoqëruese nga pajisja elektronike. gj) “Pagesë me para në dorë” është pagesa për mallrat ose shërbimet e furnizuara, kryer me kartëmonedha ose monedha, të cilat konsiderohen mjete të ligjshme pagese, në përputhje me legjislacionin përkatës dhe, për qëllim të këtij ligji, përfshijnë edhe kartat e debitit, kreditit dhe çeqet. h) “Pagesë pa para në dorë” është pagesa për mallrat ose shërbimet e furnizuara, kryer nëpërmjet një banke, institucioni financiar jobankar ose subjekteve të tjera, që ofrojnë 3 shërbime pagese, ose institucioneve të tjera të parasë elektronike, të licencuara nga Banka e Shqipërisë dhe që, për qëllim të këtij ligji, përfshin të gjitha mënyrat e tjera të pagesës, të cilat nuk konsiderohen pagesa me para në dorë, sipas pikës “gj” të këtij neni. i) “Platforma qendrore e faturave” është platforma që krijohet, zhvillohet, mirëmbahet dhe administrohet nga ana teknike nga institucioni përgjegjës për administrimin e infrastrukturës, të sistemeve dhe shërbimeve TIK (AKSHI). Të dhënat që shkëmbehen nëpërmjet kësaj platforme administrohen nga administrata tatimore qendrore dhe përfshijnë: i. një platformë të veçantë, për nevoja të zbatimit të këtij ligji, në të cilën çdo tatimpagues, që lëshon fatura, paraqet informacionin e kërkuar, në përputhje me këtë ligj, shqyrton të gjitha faturat e fiskalizuara, në të cilat paraqitet si blerës ose si shitës, paraqet ose shikon të gjitha pagesat e regjistruara të faturave elektronike. Tatimpaguesit, që lëshojnë fatura, në përputhje me këtë ligj, mund të përpilojnë fatura, të kryejnë procedurën e fiskalizimit, të lëshojnë faturën ose faturën elektronike dhe të dërgojnë e të pranojnë faturën elektronike drejtpërdrejt në këtë platformë. Çdo tatimpagues, që lëshon fatura, mund të shikojë e të shtojë të dhëna shtesë në librin e shitjes e të blerjes, nëpërmjet llogarisë personale të krijuar në këtë platformë; ii. ndërfaqja për shkëmbimin e faturave elektronike, në përputhje me këtë ligj. j) “Rezidentët dhe jorezidentët për qëllime tatimore” përcaktohen sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi për procedurat tatimore. k) “Sistemi i fiskalizimit” është tërësia e pajisjeve fiskale dhe zgjidhjeve software-ike që mund të përfshijë dhe çdo zgjidhje sofware-ike të ndërmjetme që përdoren për lëshimin dhe marrjen e faturave e të faturave shoqëruese, zbatimin e procedurave të fiskalizimit dhe shkëmbimit elektronik të mesazheve, komunikimit ndërmjet tatimpaguesve që lëshojnë fatura, fatura shoqëruese, dhe sistemit të teknologjisë së informacionit të administratës tatimore qendrore, duke përdorur një rrjet të sigurt të shkëmbimit të të dhënave nëpërmjet lidhjes elektronike, internetit. Sistemi i fiskalizimit përdoret, gjithashtu, për shkëmbimin elektronik të mesazheve dhe komunikimin ndërmjet bankave, institucioneve financiare jobankare dhe subjekteve të tjera, që ofrojnë shërbime pagese të faturave elektronike, dhe sistemit të teknologjisë së informacionit të administratës tatimore qendrore. Sistemi i fiskalizimit përfshin: i. pajisjen fiskale, e cila përbëhet nga: – pajisja elektronike e faturimit, që përdoret për lëshimin e faturave për shitjen e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve, me memorie për regjistrimin e të dhënave fiskale në faturat e lëshuara për pagesa që kryhen me para në dorë; – pajisja elektronike për lëshimin e faturës shoqëruese, me memorie për regjistrimin e të dhënave fiskale në faturat shoqëruese të lëshuara; – printeri për lëshimin e faturave nëpërmjet pajisjes elektronike të faturimit ose për lëshimin e faturës shoqëruese, në rast se printeri nuk është pjesë e pajisjes elektronike të faturimit ose pajisjes elektronike; – çdo pajisje elektronike, që përdoret për të përpiluar dhe lëshuar fatura për shitjen e mallrave apo ofrimin e shërbimeve për pagesa që kryhen pa para në dorë; – çdo pajisje elektronike e përdorur për të regjistruar pagesa pa para në dorë të faturave elektronike; ii. zgjidhjen software-ike, në formën e një aplikacioni individual, ose të një sistemi të integruar kompjuterik apo një aplikacioni Cloud, i cili mundëson: – përpilimin e faturës ose faturës shoqëruese, futjen e të gjitha elementeve të domosdoshëm të faturës ose faturës shoqëruese; – identifikimin e operatorit që lëshon faturën ose faturën shoqëruese; – nënshkrimin elektronik; – lëshimin dhe pranimin e faturave elektronike; 4 – transferimin automatik të të dhënave në administratën tatimore qendrore dhe pranimin e informacionit konfirmues nga administrata tatimore qendrore, pas verifikimit automatik të çdo fature ose fature shoqëruese; – ruajtjen e të dhënave në memorie; – masa të tjera për procedurën e fiskalizimit; iii. zgjidhjen software-ike, në formën e një aplikacioni individual ose të një sistemi të integruar kompjuterik apo një aplikacioni Cloud, që mundëson nënshkrimin elektronik, transferimin automatik të të dhënave në administratën tatimore qendrore dhe pranimin e mesazhit konfirmues nga administrata tatimore qendrore, pas verifikimit automatik të mesazhit të pagesës së një fature elektronike; iv. sistemin e komunikimit ndërmjet tatimpaguesit, që lëshon fatura ose fatura shoqëruese, dhe administratës tatimore qendrore apo ndërmjet bankave, institucioneve financiare dhe ndërmjetësve të tjerë, të cilët ofrojnë shërbime pagese të faturave elektronike dhe administratës tatimore qendrore, nëpërmjet rrjetit të sigurt për transferimin elektronik të të dhënave në internet. l) “Tatimpagues” është personi juridik apo fizik, që ka detyrimin të lëshojë faturë ose faturë shoqëruese, sipas këtij ligji ose legjislacionit në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar. ll) “Vend i ushtrimit të veprimtarisë” është: i. çdo vend i mbyllur ose i hapur dhe çdo pajisje vetëshërbimi (automat), që shfrytëzohet për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit të mallrave apo ofrimit të shërbimeve; ii. një ose disa pjesë të ambienteve të një biznesi, në të cilën i njëjti tatimpagues, që duhet të lëshojë faturë, në përputhje me këtë ligj, ushtron veprimtari të ndryshme, të cilat i deklaron sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi dhe që, për qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit, mund të konsiderohen vende të veçanta të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit; iii. çdo vend, të cilin tatimpaguesi e përdor për ushtrimin e përkohshëm të një veprimtarie ose e përdor herë pas here, me qëllim të organizimit të panaireve apo aktiviteteve të tjera të ngjashme; iv. çdo vend i biznesit për aktivitete të kryera në terren ose në vendndodhjen e klientit, nëse pagesa për shërbimet e kryera apo mallrat e dorëzuara bëhet me para në dorë drejtpërdrejt në vendin ku janë furnizuar mallrat apo shërbimet; v. çdo mjet i lëvizshëm i biznesit, që shërben për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit të mallrave dhe shërbimeve; vi. vendi i regjistruar i veprimtarisë ekonomike të tatimpaguesit, nëse aktiviteti lidhet ekskluzivisht me shërbimet elektronike, dhe në të gjitha rastet kur natyra e veprimtarisë ekonomike nuk kërkon një hapësirë veprimtarie specifike dhe të ndarë; vii. për qëllim të monitorimit të lëvizjes së mallrave, për të cilat është lëshuar fatura shoqëruese, sipas shkronjës “ç”, të këtij neni, vendndodhje e biznesit konsiderohet, gjithashtu, çdo dyqan apo vend ku mallrat janë magazinuar dhe merren për transport; m) “Kodi QR” është: një barkod dydimensional i përgjigjes së shpejtë, që përdoret për të aksesuar në mënyrë të thjeshtë dhe të shpejtë informacionin.