Neni 26 Platforma qendrore e faturave 1. Ngarkohet AKSHI që të krijojë, zhvillojë, mirëmbajë dhe administrojë nga ana teknike platformën qendrore të faturave, nëpërmjet së cilës shkëmbehen faturat elektronike. 2. Tatimpaguesit, që regjistrohen në regjistrin e administratës tatimore qendrore si tatimpagues që lëshojnë fatura, sipas nenit 13, të këtij ligji, regjistrohet automatikisht në regjistrin e tatimpaguesve, që mbahet nga administrata tatimore qendrore, si lëshues dhe pranues të faturave elektronike. 3. Lëshuesit dhe marrësit e faturave elektronike, sipas pikës 2, të këtij neni, që kanë njësi të ndryshme organizative, janë të detyruar të paraqesin informacione për to në platformën qendrore të faturave brenda 24 orëve, para fillimit të lëshimit ose marrjes apo shkëmbimit të faturave elektronike nëpërmjet kësaj platforme. 4. Marrësit e faturave elektronike, të cilët nuk janë të regjistruar në regjistrin e administratës tatimore qendrore si tatimpagues që lëshojnë fatura, sipas nenit 13, të këtij ligji, duhet të marrin një certifikatë elektronike, sipas nenit 19, të këtij ligji, dhe nëpërmjet platformës qendrore të faturave të regjistrohen si marrës të faturave elektronike brenda 24 orëve përpara fillimit të marrjes së faturave elektronike nëpërmjet kësaj platforme. 5. Të gjitha faturat elektronike duhet të shkëmbehen nëpërmjet platformës qendrore të faturave pas zbatimit të procedurës së fiskalizimit, në përputhje me kreun VI të këtij ligji. 6. Platforma qendrore e faturave është pjesë e infrastrukturës shtetërore të teknologjisë së informacionit, që administrohet nga ana teknike nga AKSHI, dhe të dhënat që shkëmbehen nëpërmjet saj janë pronë e administratës tatimore qendrore. 7. Detyrimet ligjore, që rrjedhin nga ky nen, zbatohen në përputhje me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave. Neni 27 Procedura e thjeshtuar për lëshimin, pranimin e faturave elektronike dhe për fiskalizimin 1. Tatimpaguesit në rastet e lëshimit ose pranimit të faturave elektronike, sipas përcaktimeve të nenet 24 e 25, të këtij ligji, mund të përpilojnë, fiskalizojnë dhe dërgojnë këto fatura elektronike te blerësi ose t’i pranojnë faturat elektronike nëpërmjet platformës 20 qendrore të faturave. Kategoria e tatimpaguesve dhe kriteret e nevojshme, për qëllime të zbatimit të kësaj pike, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. 2. Lëshuesit dhe pranuesit e faturave elektronike, sipas pikës 1, të këtij neni, duhet të pajisen me certifikatë elektronike, sipas nenit 19, të këtij ligji, për shkëmbimin elektronik të të dhënave. 3. Si përjashtim nga nenet 16, 18 e 20, të këtij ligji, lëshuesit e faturave elektronike, të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, nuk duhet të instalojnë pajisje të veçanta fiskale apo një zgjidhje të veçantë software-ike për zbatimin e procedurës së fiskalizimit, ose të paraqesin informacion në lidhje me mirëmbajtësin e zgjidhjes software-ike. 4. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim procedurat përkatëse për zbatimin e këtij neni. Neni 28 Rregullat e përdorimit të faturave elektronike 1. Faturat elektronike, të lëshuara sipas këtij ligji, duhet të jenë në përputhje me këtë ligj dhe specifikimet teknike të përcaktuara në Standardet Shqiptare (SSH), apo dokumente të tjera të barasvlershme me to. 2. Vërtetësia e origjinës, integriteti i përmbajtjes dhe lexueshmëria e faturës, qoftë kjo në letër apo në formë elektronike, garantohen duke filluar nga momenti i lëshimit të saj deri në përfundimin e periudhës së ruajtjes së faturës. 3. Vërtetësia e origjinës sigurohet në mënyrë të tillë që lëshuesi të jetë i identifikueshëm ndërsa integriteti i përmbajtjes nënkupton që përmbajtja e faturës nuk është ndryshuar. 4. Tatimpaguesi, që lëshon fatura, garanton me anë të certifikatës elektronike termat dhe kushtet, sipas pikave 2 e 3 të këtij neni. 5. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim zbatimin e këtij neni.