REGJISTRIMI I TË DHËNAVE
Neni 13 Të dhënat e tatimpaguesve që lëshojnë fatura 1. Tatimpaguesit, të cilët në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë të regjistruar si tatimpagues aktivë në administratën tatimore dhe janë subjekt i lëshimit të faturave sipas nenit 4, të këtij ligji, regjistrohen automatikisht në regjistrin e tatimpaguesve që mban administrata tatimore qendrore si tatimpagues që lëshojnë fatura. 11 2. Nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të gjithë tatimpaguesit e rinj, të cilët do të regjistrohen në regjistrin tregtar pranë institucionit përgjegjës për regjistrin tregtar, regjistrohen automatikisht si tatimpagues që lëshojnë faturë në regjistrin e tatimpaguesve, që mbahet nga administrata tatimore qendrore. Parashikimet e kësaj pike zbatohen automatikisht edhe për tatimpaguesit që kalojnë nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv. 3. Për të gjithë personat e rinj fizikë dhe juridikë, të regjistruar në administratën tatimore pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe ata që kalojnë nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv, përcaktimi i tyre si tatimpagues që lëshojnë fatura në regjistrin e tatimpaguesve që mbahet nga administrata tatimore qendrore bëhet automatikisht nga administrata tatimore qendrore, bazuar në vlerësimin e bërë në momentin e regjistrimit ose në bazë të kërkesës së atij personi. Kërkesa bëhet në mënyrë elektronike, nëpërmjet platformës qendrore të faturave, në momentin e fillimit të furnizimit të mallrave e shërbimeve, në bazë të të cilave ata persona detyrohen të lëshojnë fatura në përputhje me këtë ligj, dhe jo më vonë se 24 orë përpara lëshimit të faturës së parë. Përjashtimisht, në rastet e përcaktuara në nenin 31, të këtij ligji, kërkesa mund të paraqitet personalisht në administratën tatimore, bazuar në vendin e tyre të regjistrimit, ose adresën e përhershme apo vendbanimin e zakonshëm. 4. Administrata tatimore qendrore, për të gjithë personat sipas pikës 3, të këtij neni, kryen regjistrimin e detyrimit të tyre për lëshimin e faturave në regjistrin e saj. Në këtë rast, tatimpaguesi nuk do të pajiset me vërtetim apo numër fiskal të veçantë dhe gjatë lëshimit të faturave do të përdorë numrin e vet unik të identifikimit. Neni 14 Regjistrimi i vendit të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit dhe i pajisjeve elektronike e faturimit 1. Tatimpaguesi, që lëshon fatura, detyrohet të paraqesë nëpërmjet platformës qendrore të faturave të dhënat për vendin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit, jo më vonë se 24 orë përpara fillimit të lëshimit të faturës sipas këtij ligji, në çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit. 2. Për qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit të lëshimit të faturave, regjistrimi sipas pikës 1, të këtij neni, duhet të përmbajë, së paku, të dhënat e mëposhtme: a) numrin unik të identifikimit të tatimpaguesit që lëshon faturën; b) emrin tregtar të vendit të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit, nëse ka; c) adresën e vendit të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit; ç) llojin e vendit të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit; d) llojin e veprimtarive që ushtron në vendin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit; dh) orarin ditor të punës dhe ditët e punës gjatë javës, punën gjatë festave zyrtare; e) datën e fillimit të ushtrimit të veprimtarisë në vendin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit; ë) datën e mbylljes së veprimtarisë në vendin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit, duke përfshirë datat e ndërprerjes së përkohshme, kur është rasti; f) sipërfaqen e vendit të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit, kur kjo është e mundur; g) mënyrën e pagesës së pranuar për furnizimin e mallrave ose të shërbimeve në atë vend të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit (me para në dorë dhe/ose pa para në dorë); gj) statusin e vendit të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit; h) emrin e ofruesit të lidhjes elektronike (internetit); i) shënimin nëse vendi i ushtrimit të veprimtarisë së biznesit është në pronësi ose me qira. 3. Tatimpaguesi, që lëshon fatura, të dhënat për llojin e veprimtarive që ushtron në vendin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit, sipas shkronjës “d”, të pikës 2, të këtij neni, i paraqet sipas përcaktimeve të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike në fuqi. 12 4. Si përjashtim nga pika 1, e këtij neni, nëse tatimpaguesi, që lëshon fatura, nuk mund të përdorë platformën qendrore të faturave në rastet e specifikuara në nenin 31, të këtij ligji, informacioni i referuar në pikën 2, të këtij neni, duhet dërguar nëpërmjet një formulari të veçantë, për çdo vend të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit, drejtpërdrejt në administratën tatimore ku tatimpaguesi është i regjistruar ose ku ka adresën e përhershme apo vendqëndrimin e zakonshëm. 5. Nëse ndryshohen të dhënat e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, për vendin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit, tatimpaguesi, që lëshon fatura, detyrohet që të paraqesë informacionin lidhur me të dhënat e reja, në mënyrën e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, ose, në raste të veçanta, në përputhje me pikën 4, të këtij neni, jo më vonë se 72 orë pas ndodhjes së ndryshimit. 6. Pas regjistrimit të parë të të dhënave për vendin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit, sistemi informatik i administratës tatimore qendrore gjeneron kodin e vendit të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit. Administrata tatimore qendrore lëshon një konfirmim të regjistrimit të vendit të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit, së bashku me kodin e tij, në formë elektronike. Ky konfirmim regjistrimi ruhet në platformën qendrore të faturave, në llogarinë e përdoruesit të tatimpaguesit. 7. Pas paraqitjes së të dhënave për vendin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit dhe përpara lëshimit të faturave, tatimpaguesi, që lëshon fatura, duhet të regjistrojë çdo pajisje elektronike të faturimit, në përputhje me pikën 4, të nenit 12, të këtij ligji. Përjashtimisht, në rastet e specifikuara në nenin 31, të këtij ligji, nëse tatimpaguesi, që lëshon fatura, nuk mund të kryejë testin hyrës nga pajisja fiskale në sistemin fiskal, ai mund të përdorë platformën qendrore të faturave për të regjistruar pajisjen elektronike të faturimit ose mund të dërgojë të dhënat për secilën pajisje fiskale nëpërmjet formularit të posaçëm, drejtpërdrejt në administratën tatimore ku është i regjistruar apo ku ka adresën e përhershme ose vendqëndrimin e zakonshëm. 8. Administrata tatimore qendrore mban të dhënat e të gjitha pajisjeve elektronike të faturimit të regjistruara. Tatimpaguesi, që lëshon fatura, detyrohet ta informojë administratën tatimore në rast të ndërprerjes së përhershme të punës së një pajisjeje elektronike të faturimit për arsye të zëvendësimit të saj me një të re, si rezultat i prishjes, vjedhjes apo çdo arsyeje tjetër, në përputhje me pikën 5, të këtij neni. 9. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim të dhënat, formën dhe procedurën për paraqitjen e të dhënave të përcaktuara në këtë nen. Neni 15 Regjistrimi i operatorëve 1. Tatimpaguesi, që lëshon fatura, detyrohet që të paraqesë në administratën tatimore, duke përdorur platformën qendrore të faturave, të dhënat për çdo operator individual, duke përfshirë të dhënat mbi numrin unik të identifikimit dhe emrin e mbiemrin e operatorit, jo më vonë se 24 orë para fillimit të lëshimit të faturave nga secili operator individual. 2. Me përjashtim të pikës 1, të këtij neni, nëse tatimpaguesi, që lëshon fatura, nuk mund të përdorë platformën qendrore të faturave, në rastet e specifikuara në nenin 31, të këtij ligji, të dhënat e referuara në pikën 1, të këtij neni, duhen dërguar nëpërmjet një formulari të veçantë për secilin operator, drejtpërdrejt në administratën tatimore ku është i regjistruar, ku ka adresën e përhershme ose vendqëndrimin e zakonshëm. 3. Pas regjistrimit të të dhënave, sistemi informatik i administratës tatimore qendrore gjeneron kodin e operatorit, që shoqërohet me numrin e tij personal të identifikimit, nëse operatori është individ, ose me NIPT/NUIS, nëse operatori është tatimpagues që ofron shërbime konsulence fiskale, tatimore, apo kontabiliteti. Përjashtimisht, për pajisjet e 13 vetëshërbimit (automatët), kodi i operatorit lidhet me numrin unik të identifikimit të tatimpaguesit që lëshon fatura. 4. Administrata tatimore qendrore i jep tatimpaguesit, që lëshon fatura, konfirmimin e regjistrimit të operatorit, së bashku me kodin përkatës, në formë elektronike. Ky konfirmim regjistrimi ruhet në platformën qendrore të faturave, në llogarinë e përdoruesit të tatimpaguesit, që lëshon fatura. 5. Nëse një pajisje elektronike e faturimit përdoret nga më shumë se një operator për përpilimin dhe lëshimin e faturave, secili operator, si lëshues i faturës, duhet të identifikohet në sistemin fiskal me anë të kodit të vet për çdo faturë që lëshon. 6. Tatimpaguesi, që lëshon fatura, duhet të paraqesë në administratën tatimore informacionin për çdo ndryshim të të dhënave të operatorëve, në mënyrën e përcaktuar në pikat 1 e 2, të këtij neni, brenda 24 orëve pas ndodhjes së ndryshimit. 7. Nëse një person është operator i autorizuar për lëshim të faturave për dy ose më shumë tatimpagues, që lëshojnë fatura, ai do të përdorë të njëjtin kod kur futet në sistemin fiskal. 8. Një operator mund të futet në sistemin fiskal dhe të fillojë lëshimin e faturave në emër dhe për llogari të tatimpaguesit, që lëshon fatura, vetëm nëse tatimpaguesi e ka regjistruar atë si operatorin e vet, në përputhje me pikat 1 dhe 2, të këtij neni. 9. Ministri përgjegjës për financat, me udhëzim, përcakton formularin dhe procedurën për paraqitjen e të dhënave për operatorët e referuar në këtë nen. Neni 16 Regjistrimi i prodhuesve dhe mirëmbajtësve të software-ëve 1. Përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së ofrimit të zgjidhjeve software-ike ose shërbimeve të mirëmbajtjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, prodhuesit dhe mirëmbajtësit e zgjidhjeve software-ike, duhet të regjistrohen në mënyrë elektronike në regjistrin e prodhuesve ose të mirëmbajtësve software-ike të AKSHI-t, duke përdorur platformën qendrore të faturave. 2. Prodhuesi ose mirëmbajtësi i zgjidhjeve software-ike, të referuar në pikën 1, të këtij neni, detyrohet të certifikohet nga AKSHI, në bashkëpunim me administratën tatimore qendrore, përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së ofrimit të këtyre zgjidhjeve softwareike ose shërbimeve të mirëmbajtjes në territorin e Republikës së Shqipërisë. 3. Prodhuesit e zgjidhjeve software-ike duhet të regjistrojnë tek AKSHI, sipas mënyrës së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, edhe informacionin për zgjidhjet e veta software-ike. 4. Regjistrimi, sipas pikës 1, të këtij neni, nuk e zëvendëson detyrimin për regjistrim në Qendrën Kombëtare të Biznesit apo administratën tatimore të subjekteve që ushtrojnë veprimtari tregtare dhe jotregtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi apo aktet nënligjore përkatëse. 5. Pas regjistrimit, sistemi informatik i AKSHI-t gjeneron kodin e subjektit të referuar nën pikën 1, të këtij neni, dhe kodin e zgjidhjes software-ike. Këto kode duhet të integrohen në zgjidhjen software-ike nga prodhuesit e software-ëve përpara dorëzimit te tatimpaguesi, që lëshon fatura, në mënyrë që sistemi fiskal të identifikojë prodhuesin dhe zgjidhjen softwareike të përdorur gjatë çdo dërgimi të faturave në procedurën e fiskalizimit. 6. AKSHI i jep në formë elektronike, subjektit të përcaktuar nën pikën 1, të këtij neni, certifikatën dhe kodin e regjistrimit të zgjidhjes software-ike. Kjo certifikatë ruhet në platformën qendrore të faturave, në llogarinë e përdoruesit të subjektit. 7. Tatimpaguesi, që lëshon faturë, nuk mund të lëshojë fatura nëse prodhuesi i software-it dhe zgjidhja software-ike që përdor nuk janë regjistruar në regjistrin e referuar në pikat 1 e 3, të këtij neni, dhe certifikuar. Për këtë qëllim, çdo tatimpagues, që lëshon fatura, mund të kontrollojë nëpërmjet emërtimit/emrit dhe mbiemrit apo numrit unik të identifikimit të 14 prodhuesit të software-it nëse ai prodhues dhe zgjidhja software-ike janë të regjistruar në regjistër. 8. Tatimpaguesi, që lëshon faturë, duhet të dorëzojë në mënyrë elektronike të dhënat për mirëmbajtësin e zgjidhjeve software-ike, të referuar në pikën 1, të këtij neni, duke përdorur platformën qendrore të faturave. 9. Tatimpaguesi, që lëshon fatura, dhe prodhuesi ose mirëmbajtësi i software-it janë përgjegjës për funksionimin e zgjidhjes software-ike. Për këtë qëllim, çdo prodhues ose mirëmbajtës i software-it, që është regjistruar në regjistër sipas pikës 1, të këtij neni, nëpërmjet platformës qendrore të faturave mund të verifikojë listën me emrin dhe numrin unik të identifikimit të gjithë tatimpaguesve që lëshojnë fatura, duke përdorur zgjidhjen e tyre software-ike ose që kanë dhënë informacion që ata përdorin shërbimet e tyre të mirëmbajtjes. 10. Me vendim të Këshillit të Ministrave, përcaktohen kushtet dhe procedurat që ndiqen për certifikimin e prodhuesve dhe mirëmbajtësit e zgjidhjeve software-ike si dhe detyrimet e rregullat e tjera procedurale për zbatimin e këtij neni Neni 17 Regjistrimi i faturave në librin e shitjes dhe librin e blerjes 1. Duke u mbështetur në të dhënat e paraqitura në administratën tatimore qendrore për të gjitha faturat e shitjeve dhe të blerjeve, nëpërmjet procedurës së fiskalizimit të faturave për çdo tatimpagues që lëshon faturë, në pajtim me këtë ligj, sistemi informatik i administratës tatimore qendrore gjeneron një libër të shitjeve dhe një libër të blerjeve, të cilët janë në dispozicion në platformën qendrore të faturave, në llogarinë e tatimpaguesve që lëshojnë faturë. 2. Çdo tatimpagues, që lëshon faturë, duhet të shqyrtojë të dhënat në librin e shitjeve dhe librin e blerjeve, deri në ditën e dhjetë të muajit, për faturat e lëshuara e të pranuara, që i përkasin muajit paraardhës, dhe, nëse është e nevojshme, t’i plotësojë ato me informacion shtesë. Pas përfundimit të kësaj procedure duhet të konfirmojë saktësinë e të dhënave. 3. Libri i shitjeve dhe libri i blerjeve në platformën qendrore të faturave duhet të jenë në dispozicion të tatimpaguesit, që lëshon fatura gjatë gjithë afatit kohor të përcaktuar për ruajtjen e faturave, sipas dispozitave të parashikuara në legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar. 4. Ministri përgjegjës për financat përcakton, me udhëzim, procedurat për ndryshimin dhe plotësimin e të dhënave në librin e shitjeve e në librin e blerjeve dhe procedurat e tjera të përcaktuara nga ky nen.