Regjistrimi i të dhënave për pagesat
ME DHE PA PARA NË DORË
Neni 37: Subjektet që ofrojnë shërbime të pagesave dhe procedurat për regjistrimin e pagesave pa para në dorë
1. Bankat, institucionet e tjera financiare jobankare dhe subjekte të tjera, të cilat ofrojnë shërbime të pagesave pa para në dorë të faturave elektronike, të lëshuara në transaksione ndërmjet tatimpaguesve ose ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, për të cilat tatimpaguesi, që lëshon faturë, ka zbatuar procedurën e fiskalizimit, detyrohen të regjistrojnë pagesat e kryera dhe, në mënyrë elektronike, të njoftojnë administratën tatimore qendrore në fund të çdo dite pune për çdo faturë individuale elektronike të paguar gjatë asaj dite.
2. Subjektet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, detyrohen të përdorin një pajisje elektronike, të instalojnë një zgjidhje software-ike të certifikuar ose një sistem të integruar kompjuterik të certifikuar apo të përdorin një aplikacion web të certifikuar (Cloud), që mundëson lidhjen e faturave elektronike të lëshuara dhe të dhënave të pagesës, si dhe shkëmbimin e mesazheve elektronike me administratën tatimore, nëpërmjet një rrjeti të sigurt për transferimin elektronik të të dhënave përmes lidhjes elektronike (internetit). Këto subjekte duhet të dorëzojnë pranë administratën tatimore qendrore informacionin për mirëmbajtësin e zgjidhjes software-ike të certifikuar, të përdorur, sipas përcaktimeve në nenin 16 të këtij ligji.
3. Subjektet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, mund të aksesojnë sistemin fiskal për shkëmbimin e mesazheve mbi pagesat e realizuara nëpërmjet përdorimit të një certifikate elektronike, në përputhje me nenin 19, të këtij ligji. Kur këto subjekte kryejnë pagesa të faturave elektronike në emër dhe për llogari të tyre ose në emër dhe për llogari të klientëve të tyre, duhet të dërgojnë një mesazh për pagesat e kryera në administratën tatimore nëpërmjet lidhjes elektronike (internetit) në fund të çdo dite pune.
4. Të dhënat, të cilat për nevoja të regjistrimit të pagesave i dërgohen administratës tatimore qendrore sipas mënyrës së përcaktuar në pikat 1, 2 dhe 3, të këtij neni, duhet të përmbajnë, të paktën, elementet e mëposhtme:
a) numrin unik të identifikimit të paguesit (blerësit të mallrave ose shërbimeve);
b) numrin unik të identifikimit të subjektit që ofron shërbimet e pagesës, sipas pikës 1 të këtij neni;
c) NIVF-në e faturës së paguar apo, në raste të veçanta, NSLF-në, nëse në faturë nuk ka NIVF, në përputhje me nenin 29 të këtij ligji;
ç) shumën e paguar;
d) datën e pagesës.
5. Nëse subjektet e përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, nuk kanë në dispozicion të tyre të gjitha të dhënat e përcaktuara në pikën 4, të këtij neni, për pagimin e faturave elektronike në transaksione ndërmjet tatimpaguesve ose ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike, detyrohen ta marrin këtë informacion nga blerësi dhe të mos e kryejnë pagesën derisa blerësi të paraqesë të gjitha të dhënat e kërkuara.
6. Pas marrjes së mesazhit elektronik, administrata tatimore qendrore kontrollon në mënyrë automatike nëse janë dërguar të gjitha të dhënat e kërkuara, nëse të dhënat janë të sakta dhe, pastaj, regjistron në bazën e saj të të dhënave kryerjen e pagesës së faturës elektronike të fiskalizuar. Pas kryerjes së verifikimit, administrata tatimore qendrore u kthen subjekteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, mesazhin mbi pranimin me sukses të informacionit për pagesën, nëpërmjet lidhjes elektronike të vendosur (internetit).
7. Nëse verifikimi nuk ka qenë i suksesshëm, administrata tatimore qendrore i kthen një mesazh subjektit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, për regjistrimin e pasuksesshëm të 25 pagesës, së bashku me një shpjegim për gabimet, nëpërmjet lidhjes elektronike të vendosur (internetit). Nëse konstatohet ndonjë gabim, si pasojë e përgjegjësisë së subjektit, që ofron shërbime pagese, ky i fundit detyrohet të korrigjojë gabimin dhe të përsërisë procedurën, por, nëse gabimi nuk është shkaktuar me fajin e tij, ai detyrohet që, për këtë, të informojë blerësin për gabimin brenda 24 orëve nga pranimi i mesazhit. Blerësi detyrohet të korrigjojë gabimin dhe të informojë për këtë subjektin, që ofron shërbime pagese, i cili duhet të përsëritë procedurën sipas pikës 3 të këtij neni.
8. Si përjashtim nga pika 1, e këtij neni, nëse pagesa është kryer nëpërmjet një ndërmjetësi që nuk është i vendosur në Republikën e Shqipërisë, nëse pagesa pa para në dorë është kryer nga blerësi direkt, pa ndërmjetës, nëse pagesa është kryer në bazë të një fature të lëshuar nga blloku i veçantë i faturave, sipas nenit 30, të këtij ligji, ose nëse pagesa është kryer sipas një oferte dhe përpara lëshimit të faturës elektronike, në përputhje me pikën 1, të nenit 7, të këtij ligji, atëherë vetë tatimpaguesi, që lëshon faturë, duhet që nëpërmjet platformës qendrore të faturave të regjistrojë të gjitha pagesat e pranuara, jo më vonë se ditën e dhjetë të muajit pasardhës, për të gjitha pagesat e kryera në muajin paraardhës.
9. Sipas mënyrës së përcaktuar në pikën 8, të këtij neni, tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet të veprojë edhe në rast të kryerjes së pagesës nëpërmjet shkëmbimit, transferimit të të drejtave ose detyrimeve, heqjes dorë nga detyrimi dhe të ngjashme.
10. Të dhënat e pagesës, sipas këtij neni, dërgohen për të gjitha pagesat, pavarësisht nëse është paguar e gjithë shuma e faturës ose vetëm një pjesë e saj. Përjashtimisht, tatimpaguesi, që lëshon faturë, që regjistron vetë pagesat e marra, në përputhje me pikën 8, të këtij neni, shënon shumën totale të regjistruar për secilën faturë elektronike të muajit paraardhës.
11. Të gjitha detyrimet e përcaktuara në këtë nen zbatohen në mënyrën e duhur edhe në rast të anulimit apo ndryshimit të pagesës së bërë dhe për rimbursimin e pjesshëm ose të plotë të shumës së paguar për një faturë elektronike individuale. Nëse bëhet rimbursim i shumës së paguar, dërgohet një mesazh me të njëjtin informacion, sipas pikës 4, të këtij neni, me parashenjë të shumës negative të shumës së kthyer.
12. Detyrimet ligjore, që rrjedhin nga ky nen, zbatohen në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për financat.
Neni 38: Procedurat për regjistrimin në arkë, për pagesat me para në dorë Tatimpaguesi, para lëshimit të faturës së parë, në fillim të çdo dite pune regjistron informacionin mbi shumën fillestare të parave të çeljes së arkës për çdo pajisje elektronike të faturimit, nëpërmjet lidhjes elektronike (internetit) të vendosur me administratën tatimore qendrore. Tatimpaguesi regjistron në të njëjtën mënyrë edhe çdo shtim ose tërheqje të shumës në arkë gjatë ditës së punës KREU XI FATURA SHOQËRUESE.
Neni 39: Tatimpaguesit, që lëshojnë faturë shoqëruese
1. Tatimpaguesit, që lëshojnë fatura shoqëruese, janë tatimpagues që lëshojnë fatura sipas nenit 4, të këtij ligji, kur ata transportojnë mallra nga një vend në një tjetër në territorin e Republikës së Shqipërisë, pa ndryshim të pronësisë.
2. Qëllimi i lëshimit të faturës shoqëruese nuk është krijimi i detyrimit tatimor, por monitorimi i lëvizjes së mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë.
3. Fatura shoqëruese lëshohet nga tatimpaguesi sipas pikës 1, të këtij neni, menjëherë përpara transportit të mallrave nga një vend në një tjetër, në territorin e Republikës së Shqipërisë. Fatura shoqëruese origjinale, riprodhuar si kod QR, duhet të shoqërojë lëvizjen e mallrave deri në destinacion.
4. Tatimpaguesit, që lëshojnë faturë shoqëruese, nuk duhet të regjistrohen në mënyrë të veçantë në regjistrin e administratës tatimore qendrore si lëshues të faturave shoqëruese përpara fillimit të lëshimit të faturave shoqëruese, por duhet të regjistrojnë vendin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit nga kryhet dërgimi i mallrave, në përputhje me përcaktimet e nenit 14 të këtij ligji.
5. Tatimpaguesit, që lëshojnë fatura shoqëruese, duhet të regjistrojnë informacionin mbi operatorin që lëshon faturat shoqëruese, në përputhje me përcaktimet e nenit 15 të këtij ligji.
6. Tatimpaguesit, që lëshojnë fatura shoqëruese, duhet të regjistrojnë informacionin për mirëmbajtësin e zgjidhjes software-ike, në përputhje me përcaktimet e nenit 16 të këtij ligji.
Neni 40: Të dhënat e detyrueshme të faturës shoqëruese 1. Fatura shoqëruese e lëshuar duhet të përpilohet në formën e përcaktuar me udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat dhe duhet të përmbajë, të paktën, të dhënat e mëposhtme:
a) titullin “Faturë shoqëruese”;
b) datën dhe kohën e lëshimit të faturës shoqëruese (orën dhe minutat);
c) numrin e faturës shoqëruese;
ç) numrin unik të identifikimit të tatimpaguesit, që lëshon fatura shoqëruese;
d) emrin/emrin dhe mbiemrin e tatimpaguesit, që lëshon fatura shoqëruese;
dh) adresën e nisjes së mallrave;
e) adresën e destinacionit të mallrave;
ë) kodin e operatorit, të lëshuar në përputhje me nenin 15 të këtij ligji;
f) kodin e vendit të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit, të lëshuar në përputhje me nenin 14 të këtij ligji;
g) datën e transportit të mallrave;
gj) sasinë dhe përshkrimin e mallrave që transportohen;
h) emrin/emrin dhe mbiemrin, adresën dhe numrin unik të identifikimit të transportuesit, nëse transportuesi është i ndryshëm nga tatimpaguesi, që lëshon fatura shoqëruese;
i) numrin e targave të automjetit me të cilin transportohen mallrat;
j) numrin identifikues të veçantë të faturës shoqëruese (NIVFSH), i shprehur si shenjë alfanumerike;
k) numrin e sigurisë së lëshuesit të faturës shoqëruese (NSLFSH), i shprehur si shenjë alfanumerike;
l) kodin QR, që përmban të dhënat e përcaktuara me udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat.
2. Tatimpaguesi, që lëshon faturën shoqëruese, pasi procedura e fiskalizimit është kryer me sukses, duhet të printojë vetëm kodin QR, sipas shkronjës “l”, të pikës 1, të këtij neni.
3. Neni 12, i këtij ligji, zbatohet edhe për përcaktimin e numrit të faturës shoqëruese.
Neni 41: Zbatimi i procedurës së fiskalizimit të faturës shoqëruese
1. Tatimpaguesit, që lëshojnë fatura shoqëruese, duhet të instalojnë një pajisje elektronike dhe një printer, nëse pajisja dhe printeri nuk janë të integruara, për të printuar kodin QR të faturës shoqëruese, një zgjidhje software-ike, si dhe të sigurojnë lidhjen elektronike 27 (internetin) për shkëmbimin elektronik të të dhënave me administratën tatimore qendrore, në mënyrë që të kryhet procedura fiskalizuese për lëshimin e faturës shoqëruese.
2. Procedura e fiskalizimit, marrja e certifikatës elektronike, si dhe dispozitat e veçanta të procedurës së fiskalizimit për tatimpaguesit, që lëshojnë fatura shoqëruese, bëhet në përputhje me nenet 18, 19, 20, 29, 30 dhe 31 të këtij ligji.
Neni 42: Detyrime të tjera
1. Përpara transportimit të mallrave nga një vend i ushtrimit të veprimtarisë së biznesit të tatimpaguesit te një tjetër, kodi QR i faturës shoqëruese duhet të printohet në letër dhe duhet të shoqërojë mallrat gjatë gjithë kohës së transportit, nga vendi i nisjes deri në destinacion.
2. Me kërkesë të punonjësit të administratës tatimore, tatimpaguesi ose transportuesi duhet të tregojë kodin QR të faturës shoqëruese për inspektim.
3. Kodi QR, i shtypur në letër, pas kryerjes së transportit mbahet në vendin e destinacionit të mallrave.
4. Tatimpaguesi, që lëshon fatura shoqëruese, duhet t’i ruajë këto për, të paktën, 5 vjet, duke filluar nga fundi i vitit fiskal, të cilit i përkasin dokumentet ose në të cilin janë lëshuar faturat shoqëruese, në letër apo në formë elektronike.