Softlab

Siena AI raises $4.7M to build the future of autonomous CX! Read more

Kur je në biznes çdo minutë është e vlefshme për ju. Ne e dimë këtë prandaj kemi krijuar programin që ju kursen shumicën e kohës. Ju do të fokusoheni tek gjërat që kanë rëndësi më shumë për ju.

  • Rr. Kongresi Lushnjes, Tiranë, Shqipëri

  • +355 67 2 600 500

  • info@softlab.al

  • E Hënë - E Premte

    (10am - 06pm)

softlab comments(0) January 22, 2025

Dispozita të veçanta për procedurën e fiskalizimit

Neni 29: Ndërprerja e lidhjes elektronike (internetit)

1. Përjashtimisht përcaktimeve në nenet 18, 20 e 21, të këtij ligji, në rast të ndërprerjes së lidhjes elektronike (internetit), tatimpaguesi, lëshon faturën, e cila përmban të dhënat e përcaktuara në kreun IV, të këtij ligji, me përjashtim të NIVF-së, dhe e printon faturën në letër.

2. Tatimpaguesi, që lëshon fatura, duhet që, brenda 48 orëve, duke filluar nga momenti i ndërprerjes së lidhjes, të vendosë një lidhje elektronike (interneti) dhe t’ia dorëzojë të gjitha faturat e lëshuara sipas pikës 1, të këtij neni, administratës tatimore qendrore, nëpërmjet një protokolli të veçantë, në përputhje me udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat, dhe pranuesit të faturës elektronike, në rastin e përmendur në nenet 24 e 25, të këtij ligji, në formën e një fature elektronike.

3. Faturat e lëshuara sipas pikës 1, të këtij neni, konsiderohen se janë fiskalizuar saktësisht nëse procesi i fiskalizimit është kryer brenda afatit të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.

4. Në mënyrë që procesi i përshkruar në pikat 1 deri në 3, të këtij neni, të jetë një përjashtim, tatimpaguesi, që lëshon fatura, duhet të sigurojë mbështetje të përshtatshme software-i dhe hardware-i për shkëmbimin dhe dërgimin e të dhënave në administratën tatimore qendrore dhe lidhje të përshtatshme elektronike (interneti).

5. Tatimpaguesi, që lëshon faturë, është përgjegjës për verifikimin e kapacitetit të duhur të rrjetit, që duhet përcaktuar në mënyrë të pavarur, bazuar në numrin e mesazheve për sekondë në momentin e ngarkesës maksimale.

6. Administrata tatimore qendrore u cakton një NIVF të gjitha faturave, sipas pikës 2, të këtij neni, dhe ia kthen tatimpaguesit, që lëshon fatura, si konfirmim të pranimit të faturave të dërguara me vonesë.

7. Nëse tatimpaguesi, që lëshon faturë, nuk mundet që në afatin e përcaktuar në pikën 2, të këtij neni, të rivendosë lidhjen elektronike (internetin) për arsye të nevojës për të ndryshuar pajisjen për vendosjen e lidhjes elektronike (internetit), pamundësisë për të vendosur lidhjen elektronike (internetin), për të cilën është përgjegjës ofruesi i këtij shërbimi, ose për arsye të forcës madhore, ai duhet të njoftojë administratën tatimore për këtë dhe të dërgojë dokumentacionin ose provat e tjera, që dëshmojnë pamundësinë e vendosjes së lidhjes elektronike (internetit), sipas udhëzimit të ministrit përgjegjës për financat.

8. Për faturat, për të cilat nuk është përcaktuar detyrimi i dërgimit në formë elektronike, në përputhje me nenet 24 e 25, të këtij ligji, tatimpaguesi, që lëshon faturë, duhet që me kërkesë të blerësit të lëshojë një kopje në letër të faturës me NIVF, të përcaktuar në përputhje me pikën 6, të këtij neni, pasi është kryer procedura e mëvonshme fiskalizuese.

Neni 30: Ndërprerja e punës së pajisjes fiskale për zbatimin e fiskalizimit

1. Nëse ndodh ndërprerja e plotë e punës së pajisjes fiskale, tatimpaguesi, që lëshon faturë, lëshon një faturë nga një bllok i veçantë faturash.

2. Blloku i veçantë i faturave përmban dy kopje për secilën faturë: origjinalin për konsumatorin dhe kopjen që mbetet në librin që duhet të mbahet nga tatimpaguesi. Drejtori i Përgjithshëm i administratës tatimore qendrore miraton formatin e faturës, e cila shtypet nga autoritetet tatimore apo nga subjekte private të autorizuara dhe shpërndahet nga autoritetet tatimore. Në rastet kur shtypja e faturës kryhet nga subjektet private, autorizimi lëshohet nga Drejtori i Përgjithshëm i administratës tatimore qendrore.

3. Në rastin e referuar në pikën 1, të këtij neni, tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet që brenda pesë ditëve, nga e nesërmja e ditës kur pajisja fiskale ka ndaluar plotësisht së funksionuari, të mundësojë funksionimin e pajisjes për lëshimin e faturave fiskale ose të sigurojë një pajisje të re.

4. Brenda 5 ditëve pas afatit të përcaktuar në pikën 3, të këtij neni, tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet t’i fusë të gjitha faturat në sistemin fiskal dhe t’i paraqesë ato në administratën tatimore qendrore, nëpërmjet lidhjes elektronike (internetit), nëpërmjet një protokolli të veçantë, në përputhje me udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat.

5. Administrata tatimore qendrore u cakton NIVF-në të gjitha faturave të referuara në pikën 4, të këtij neni, dhe ia kthen ato tatimpaguesit, që lëshon faturë, si konfirmim për pranimin e faturave të dorëzuara me vonesë.

6. Menjëherë pas marrjes së NIVF-ve, tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet që ta shtojë informacionin lidhur me NIVF-të e marra në kopjet e faturave në bllokun e veçantë të faturave, sipas pikës 1, të këtij neni, dhe t’ua dërgojë marrësve të faturave elektronike, në rastet e neneve 24 e 25, të këtij ligji, faturën me NIVF-në në formën e faturës elektronike.

7. Për faturat, për të cilat nuk është përcaktuar detyrimi për dorëzimin e faturave elektronike, në përputhje me nenet 24 e 25, të këtij ligji, tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet që me kërkesë të blerësit të lëshojë një kopje në letër të faturës me NIVF-në nga pajisja elektronike e faturimit, pasi është kryer procedura e mëvonshme fiskalizuese.

8. Kriteret, që duhet të plotësojnë subjektet private për shtypjen e faturës, kushtet e shtypjes, standardet e sigurisë, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

9. Procedura e fiskalizimit të mëvonshëm të faturave të lëshuara sipas këtij neni përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.

Neni 31: Zbatimi i procedurës së fiskalizimit në zonat ku nuk është e mundur të vendoset një lidhje për shkëmbimin e të dhënave

1. Nëse tatimpaguesi, që lëshon faturë, ushtron veprimtarinë e vet tregtare në ambiente biznesi, të cilat ndodhen në një zonë ku nuk është e mundur të vendoset lidhja elektronike (interneti) për shkëmbimin e të dhënave me administratën tatimore qendrore, tatimpaguesi, që lëshon faturë, do të zbatojë procedurën e fiskalizimit të faturave për atë pjesë të aktivitetit të tij tregtar nëpërmjet lëshimit të faturës me të dhënat e përcaktuara në kreun IV, të këtij ligji, pa të dhënat e NIVF-së, dhe është i përjashtuar nga detyrimi për të lëshuar fatura elektronike, sipas neneve 24 e 25 të këtij ligji, deri sa të krijohet mundësia e lidhjes elektronike (internetit).

2. Tatimpaguesi, që lëshon faturë, i deklaron administratës tatimore pamundësinë për të vendosur lidhjen elektronike (internetin) për shkëmbimin e të dhënave dhe kjo deklaratë verifikohet nga administrata tatimore qendrore, bazuar në informacionin nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), me afat të vlefshmërisë për një vit.

3. Tatimpaguesi, që lëshon faturë, në rastin e përmendur në pikën 1, të këtij neni, detyrohet:

a) të dorëzojë në administratën tatimore qendrore të dhënat e përcaktuara në kreun V, të këtij ligji, nëpërmjet platformës qendrore të faturave, me postë ose personalisht nëpërmjet formularit përkatës në administratën tatimore ku është regjistruar ose ku ka adresën e përhershme apo vendqëndrimin e zakonshëm;

b) të pajiset me pajisje fiskale dhe zgjidhje software-ike, në përputhje me nenin 18 të këtij ligji;

c) të pajiset me certifikatë elektronike, sipas nenit 19, të këtij ligji;

ç) deri në datën 10, të muajit, të paraqesë në administratën tatimore të gjitha faturat e lëshuara në muajin paraardhës, nëpërmjet një memorieje portative ruajtëse të rishkrueshme ose nëpërmjet platformës qendrore të faturave.

4. Administrata tatimore qendrore u cakton NIVF-në të gjitha faturave të lëshuara, të referuara në shkronjën “ç”, të pikës 3, të këtij neni, dhe ia kthen ato tatimpaguesit, që lëshon fatura, si konfirmim i pranimit të faturave të paraqitura me vonesë.

5. Tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet që të shtojë informacionin mbi NIVF-në e marrë nga administrata tatimore qendrore, sipas pikës 4, të këtij neni, në të gjitha faturat e lëshuara, duke përdorur zgjidhjen software-ike, brenda 5 ditëve nga marrja e NIVF-së.

6. Me kërkesë të blerësit, tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet t’i japë një kopje në letër të faturës me NIVF-në të shënuar në faturë, në përputhje me pikën 5 të këtij neni.

7. Ministri përgjegjës për financat nxjerr udhëzim për detyrimet e tatimpaguesit, që lëshon faturë, sipas këtij neni, dhe mënyrës së dërgimit të të dhënave të referuara në pikat 3 e 4 të këtij neni.

Neni 32: Fiskalizimi i faturave korrigjuese/saktësuese

1. Të gjitha detyrimet e përcaktuara në dispozitat e këtij ligji për lëshimin e faturave dhe procedurën e fiskalizimit zbatohen, sipas nevojës, edhe për lëshimin e faturave korrigjuese/saktësuese, siç përcaktohet në legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar.

2. Fatura korrigjuese/saktësuese duhet të përmbajë një referencë te fatura origjinale, që korrigjohet.

Neni 33: Njoftimi për faturën

1. Tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet të afishojë një njoftim në secilën pajisje elektronike të pagesës ose në një vend tjetër të dukshëm në ambientet e brendshme të biznesit, që tregon detyrimin për të lëshuar faturë si dhe detyrimin e blerësit për të marrë dhe ruajtur faturën.

2. Si përjashtim nga pika 1, e këtij neni, tatimpaguesi, që lëshon faturë, i cili zbaton procedurën e fiskalizimit të shitjeve nëpërmjet pajisjeve të vetëshërbimit (automat), është i detyruar të afishojë në çdo pajisje vetëshërbimi një njoftim për fiskalizimin e shitjeve nëpërmjet këtyre pajisjeve.

3. Ministri përgjegjës për financat përcakton, me udhëzim, përmbajtjen dhe pamjen e njoftimit të përmendur në pikat 1 e 2 të këtij neni.

Neni 34: Detyrimet e blerësit

1. Blerësi, ose çdo marrës i faturës të lëshuar për pagesë me para në dorë, është i detyruar të mbajë me vete faturën e lëshuar deri në 30 metra pas largimit nga vendi i ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.

2. Nëse i kërkohet, blerësi, është i detyruar t’i tregojë faturën e lëshuar personit të autorizuar të administratës tatimore qendrore.

Neni 35: Verifikimi i faturës

1. Të gjithë blerësit ose marrësit e faturave mund të verifikojnë nëse fatura e tyre është fiskalizuar dhe raportuar në administratën tatimore qendrore brenda 60 ditëve, nga data e lëshimit të faturës.

2. Verifikimi bëhet nëpërmjet platformës qendrore të faturave ose nëpërmjet një aplikacioni special, duke skanuar kodin QR në faturë apo duke futur në mënyrë manuale disa elemente të faturës.

3. Faturat e lëshuara në rastet e referuara në nenet 29, 30 e 31, të këtij ligji, mund të dorëzohen nga blerësit ose marrësit e faturës në zyrat përkatëse të administratës tatimore qendrore për qëllime verifikimi.

4. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim mënyrën e verifikimit të faturave të lëshuara sipas këtij neni.

Neni 36: Ruajtja e faturave Tatimpaguesi, që lëshon faturë, duhet të marrë masa për ruajtjen e faturave të lëshuara, në përputhje me legjislacionin në fuqi për procedurat tatimore dhe legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar.

Tags:
Share:
softlab