Procedura e fiskalizimit të lëshimit të faturave
Neni 18: Pajisjet fiskale dhe zgjidhja sofware-ike për zbatimin e procedurës së fiskalizimit
1. Tatimpaguesit e përcaktuar në nenin 4, të këtij ligji, që ushtrojnë veprimtari ekonomike, në shitjen me pakicë, në ofrimin e shërbimeve në vende apo njësi të hapura për publikun apo çdo lloj veprimtarie tjetër të ngjashme me para në dorë, duhet të instalojnë sistemin e fiskalizimit, sipas këtij ligji, përfshirë printerin nëse nuk është pjesë integrale e pajisjes fiskale si dhe të përdorin një zgjidhje të certifikuar software-ike. Përjashtohen nga ky detyrim tatimpaguesit e përcaktuar në nenin 5 të këtij ligji.
2. Pavarësisht përcaktimeve të pikës 1 të këtij neni, të gjithë tatimpaguesit që janë pajisur dhe kanë instaluar pajisjet fiskale përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, vazhdojnë përdorimin e tyre edhe me sistemin e ri të fiskalizimit, sipas këtij ligji. Sistemi i fiskalizimit detyrimisht mundëson ruajtjen e çdo transaksioni të kryer përmes këtyre pajisjeve fiskale, në memorie. Për të siguruar ndërfaqjen e të dhënave, për pajisjet fiskale ekzistuese, mund të përdoret një infrastrukturë e ndërmjetme (server i ndërmjetëm), e cila zhvillohet nga prodhuesit dhe mirëmbajtësit e zgjidhjeve software-ike, që duke siguruar që shkëmbimi i të dhënave të këtij serveri me sistemin e fiskalizimit bëhet në kohë reale dhe të dhënat shkëmbehen me autentifikim të sigurt që sigurohet nga certifikata elektronike e marrë nga tatimpaguesit pranë AKSHI-t.
3. Tatimpaguesit në përputhje me pikën 1 dhe 2, të këtij neni, për qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit të faturave të lëshuara, detyrohen që për çdo transaksion të lëshojnë një faturë për pagesë me para në dorë, nëpërmjet përdorimit të sistemit të fiskalizimit. Sistemi i fiskalizimit mundëson ruajtjen e çdo transaksioni në memorie, të nënshkruar elektronikisht për çdo faturë, duke përdorur certifikatën elektronike, sipas nenit 19, të këtij ligji, dhe lidhjen me internet për shkëmbimin elektronik të të dhënave me administratën tatimore qendrore.
4. Tatimpaguesit që nuk përfshihen në pikën 1 dhe 2, të këtij neni, por që kanë detyrimin për lëshimin e faturës sipas nenit 4 të këtij ligji, duhet të pajisen me sistemin e fiskalizimit, që mundëson përdorimin e zgjidhjes software-ike të certifikuar, nënshkrimin elektronik të çdo fature, duke përdorur certifikatën elektronike, sipas nenit 19, të këtij ligji si dhe lidhjen me internet për shkëmbimin elektronik të të dhënave me administratën tatimore qendrore, me qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit
5. Tatimpaguesit, që lëshojnë fatura, për qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit të faturave, duhet të përdorin një zgjidhje software-ike të certifikuar, që u mundëson atyre të veprojnë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe që pamundëson kryerjen e veprimeve që shmangin procedurën e fiskalizimit të faturës.
6. Me qëllim të zbatimit të pikës 5, të këtij neni, tatimpaguesi, që lëshon fatura, mund të testojë të dhënat e faturës dhe procedurën e fiskalizimit.
7. Me vendim të Këshillit të Ministrave, përcaktohet metodologjia dhe procedurat e monitorimit të qarkullimit për tatimpaguesit në sektorë të veçantë të ekonomisë. Metodologjia e testimit të të dhënave të faturës dhe procedurës së fiskalizimit nga tatimpaguesi që lëshon fatura, përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për financat.
Neni 19: Certifikata elektronike
1. Me qëllim të zbatimit të procedurës së fiskalizimit të faturës, tatimpaguesi, që lëshon fatura, duhet të pajiset me një certifikatë elektronike, e cila gjenerohet dhe lëshohet nga AKSHI, si institucioni qendror shtetëror që administron dhe mirëmban infrastrukturën qeveritare të çelësave publikë.
2. Certifikata elektronike e lëshuar nga AKSHI duhet ruajtur në një ambient fizik me nivel të lartë sigurie, duke mos cenuar konformitetin dhe konfidencialitetin e saj.
3. Për certifikatën elektronike të lëshuar aplikohet tarifa e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për shërbimet elektronike të ofruara nga AKSHI, për subjektet sipas pikës 1 të këtij neni.
Neni 20: Zbatimi i procedurës së fiskalizimit të faturës 16
1. Tatimpaguesi, që lëshon fatura, duhet të nënshkruajë në mënyrë elektronike çdo faturë në momentin e lëshimit dhe ta dërgojë atë në administratën tatimore qendrore nëpërmjet lidhjes me internet, përpara se t’ia lëshojë blerësit.
2. Administrata tatimore qendrore duhet të verifikojë nëse janë dërguar të gjitha elementet e përcaktuara të faturës, nëse ajo është e nënshkruar elektronikisht, duke përdorur certifikatën elektronike të vlefshme, në përputhje me nenin 19, të këtij ligji dhe të kryejë kontrolle të tjera mbi saktësinë e faturës.
3. Nëse përmbushen plotësisht kushtet e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, administrata tatimore qendrore, gjeneron NIVF-në dhe ia kthen atë tatimpaguesit, nëpërmjet lidhjes elektronike të vendosur (internetit).
4. Nëse kushtet e pikës 2, të këtij neni, nuk përmbushen, administrata tatimore qendrore nuk mund ta përcaktojë NIVF-në dhe i dërgon tatimpaguesit, që lëshon fatura, një mesazh për refuzimin e përcaktimit të NIVF-së me përshkrimin e gabimit, nëpërmjet lidhjes elektronike të vendosur (internetit).
5. Fatura mund të njihet si dokument i vlefshëm, për qëllime të tatimit, vetëm pas zbatimit të procedurës së fiskalizimit dhe lëshimit të NIVF-së, si një e dhënë e detyrueshme e faturës që tregon se procedura e fiskalizimit është kryer me sukses. Përjashtimisht nga përcaktimi i kësaj pike, një faturë mund të lëshohet pa NIVF-në, vetëm në rastet e përcaktuara në nenet 29, 30 dhe 31, të këtij ligji.
6. Subjektet e vetëfaturimit duhet të zbatojnë procedurën e fiskalizimit në mënyrën e përshkruar në pikat 1 deri në 5 të këtij neni.
7. Kur blerësit, që janë tatimpagues, subjekte të TVSH-së, të tatimit mbi fitimin ose tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, në përputhje me legjislacionet përkatëse në fuqi , marrin një faturë për importin e mallrave nga një shitës nga jashtë vendit ose një faturë elektronike për shërbime të marra nga një tatimpagues nga jashtë vendit, që nuk është subjekt i lëshimit të faturave, sipas këtij ligji, blerësit duhet të zbatojnë procedurën e fiskalizimit në mënyrën e përshkruar në pikat 1 deri në 5 të këtij neni.
8. Procedura e fiskalizimit të faturës në rast të vetëfaturimit, sipas pikës 5, të nenit 6, të këtij ligji, kryhet në kohën e vetëfaturimit, brenda afateve të përcaktuara në nenin 8 të këtij ligji.
9. Procedura e fiskalizimit të faturës në rast të vetëfaturimit, sipas pikës 2, të nenit 7, të këtij ligji, kryhet në kohën e vetëfaturimit, brenda afateve të referuara në pikat 2 e 3, të nenit 8, të këtij ligji.
10. Procedura e fiskalizimit të faturës për importet e mallrave, në rastet e parashikuara në pikën 7, të këtij neni, kryhet nga marrësi i mallrave në Republikën e Shqipërisë, bazuar në deklaratën doganore pas vendosjes së mallrave nën regjimin e hedhjes për qarkullim të lirë , por jo më vonë se tri ditë nga vendosja e mallrave në këtë regjim. Në rast të rishikimit të deklaratës doganore, si pasojë e rivlerësimit doganor ose kontrollit pas zhdoganimit, brenda afatit të përcaktuar në kodin doganor, blerësi që ka kryer procesin e fiskalizimit, bën menjëherë korrigjimin e të dhënave të faturës, bazuar në deklaratën doganore të rishikuar dhe e dërgon atë pranë administratës tatimore. Në rastin e furnizimit nga jashtë të shërbimeve, blerësi vendas i shërbimit, që ka marrë një faturë elektronike nga jashtë shtetit, kryen procedurën e fiskalizimit brenda afatit të referuar në pikën 3, të nenit 8, të këtij ligji.
11. Për qëllime të zbatimit të këtij neni, ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim, detyrimet e tatimpaguesit në procesin e fiskalizimit të faturës, procedurën dhe mekanizmat për zbatimin e saj dhe të dhënat shtesë, të kërkuara sipas këtij ligji.
Neni 21: Shitjet nëpërmjet pajisjeve të vetëshërbimit (automatët) 17
1. Për zbatimin e procedurës së fiskalizimit të shitjeve nëpërmjet pajisjeve të vetëshërbimit (automat), tatimpaguesi, që lëshon faturë, detyrohet të fiskalizojë çdo shitje, në momentin e shitjes, nëpërmjet dërgimit të të dhënave të shitjes në administratën tatimore qendrore. Me pajisje vetëshërbimi nënkuptohet një pajisje e vetëshërbimit, që shpërndan automatikisht mallra konsumi me futjen e parave, të xhetonave, kartave të kreditit ose debitit apo mjeteve të ngjashme, si dhe një pajisje vetëshërbimi që përdoret për pagimin e shërbimeve.
2. Tatimpaguesi, që lëshon faturë, sipas pikës 1, të këtij neni, duhet të mundësojë përdorimin e software-it për nënshkrimin elektronik të mesazheve mbi shitjen dhe të sigurojë lidhjen me internet për shkëmbimin elektronik të të dhënave me administratën tatimore qendrore për zbatimin e procedurës së fiskalizimit të shitjeve nëpërmjet pajisjeve të vetëshërbimit.
3. Pavarësisht nga pika 4, e neni 6, të këtij ligji, dërgimi i të dhënave mbi shitjet në administratën tatimore qendrore, në përputhje me pikat 1 e 2, të këtij neni, konsiderohet që të ketë përmbushur detyrimin e lëshimit të faturës, sipas këtij ligji. Tatimpaguesit, të cilët operojnë në sektorë të veçantë të ekonomisë, në përputhje me udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat dhe kryejnë shitje nëpërmjet pajisjeve të vetëshërbimit (automat), duhet të mundësojnë printimin e faturës kur kryejnë shitje nëpërmjet këtyre pajisjeve. Në këtë rast printohet një faturë e thjeshtë, sipas nenit 11 të këtij ligji.
4. Detyrimet ligjore, që rrjedhin nga ky nen, zbatohen në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për financat.
Neni 22: Procedura e thjeshtëzuar për fiskalizimin e faturave për pagesat me para në dorë
1. Me përjashtim të neneve 16, 18 dhe 20, të këtij ligji, tatimpaguesit që lëshojnë fatura për pagesa me para në dorë, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, mund të përdorin platformën qendrore të faturave si një alternativë për përpilimin dhe fiskalizimin e faturave të thjeshtuara, sipas nenit 11 të këtij ligji.
2. Tatimpaguesi, që lëshon fatura, duhet të printojë në letër dhe t’ia dorëzojë blerësit ose t’ia dërgojë me postë elektronike, në bazë të pëlqimit të blerësit, faturat e referuara në pikën 1 të këtij neni.
3. AKSHI lëshon një certifikatë elektronike, sipas nenit 19, të këtij ligji, për subjektet e pikës 1, të këtij neni, sipas kërkesës së tyre.
4. Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim procedurën e aksesimit, përpilimit dhe fiskalizimit të faturës, sipas pikës 1 të këtij neni. KREU VII MËNYRA E LËSHIMIT DHE DËRGIMIT TË FATURËS
Neni 23: Fatura për pagesat me para në dorë
1. Fatura për pagesat me para në dorë duhet të printohet në letër, të përmbajë të gjitha të dhënat, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar, i nënshtrohet procedurës së fiskalizimit, sipas këtij ligji, dhe i dorëzohet blerësit në momentin e furnizimit të mallrave ose shërbimeve.
2. Në rastin e furnizimit të mallrave me transport, transportuesi duhet të mbajë faturën e lëshuar nga shitësi gjatë gjithë kohëzgjatjes së transportit të mallrave, nga pika e nisjes deri në destinacion ose deri në dorëzimin e mallrave blerësit dhe, sipas kërkesës së punonjësve të administratës tatimore qendrore, janë të detyruar ta vendosin këtë dokument në dispozicion të tyre.
3. Si përjashtim nga pika 1, e këtij neni, nëse ofrohen shërbime elektronike ose furnizimi i mallrave ose shërbimeve kontraktohet dhe paguhet nëpërmjet një aplikacioni celular, dyqani në internet apo të ngjashme, fatura nuk ka nevojë të printohet në letër, por mund t’i dërgohet blerësit ose marrësit të faturës nëpërmjet postës elektronike (e-mail) ose si faturë elektronike.
4. Nëse blerësi është individ ose person që nuk është tatimpagues që lëshon fatura, sipas nenit 4, të këtij ligji, atëherë dërgimi i faturës, sipas pikës 3, të këtij neni, mund të kryhet vetëm me pëlqimin e blerësit. Për blerës të tjerë, në rastin e referuar në pikën 3, të këtij neni, një faturë elektronike mund të lëshohet pa pëlqim të veçantë nga blerësi, në përputhje me nenin 28, të këtij ligji, nëse blerësi është i regjistruar në platformën qendrore të faturave, të referuar në nenin 26 të këtij ligji.
Neni 24: Fatura elektronike për pagesa pa para në dorë
1. Fatura për furnizimin e mallrave e të shërbimeve në transaksione, në të cilat shitësi dhe blerësi janë tatimpagues, subjekte të TVSH-së ose të tatimit mbi fitimin apo të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, në përputhje me ligjet përkatëse, duhet të lëshohet, dërgohet dhe pranohet si faturë elektronike, në përputhje me nenin 28, të këtij ligji, nëse fatura është paguar ose do të paguhet pa para në dorë.
2. Fatura elektronike, sipas pikës 1, të këtij neni, duhet të ketë të gjitha të dhënat e nevojshme dhe të lëshohet duke zbatuar procedurat e fiskalizimit, të përcaktuara me këtë ligj, duhet të jetë në përputhje me specifikimet teknike të përcaktuara në Standardet Shqiptare (SSH), siç janë publikuar nga institucioni përgjegjës për standardizimin, dhe procedurat në kreun VIII të këtij ligji.
3. Fatura elektronike, sipas pikës 1, të këtij neni, duhet t’i dërgohet ose t’i vihet në dispozicion blerësit në momentin e furnizimit të mallrave ose shërbimeve, në përputhje me nenin 8 të këtij ligji.
4. Në rastin e furnizimit të mallrave me transport, tatimpaguesi, që lëshon faturë, sipas pikës 1, të këtij neni, detyrohet të lëshojë një faturë elektronike dhe të zbatojë procedurën e fiskalizimit menjëherë përpara kryerjes së transportit të mallrave, të printojë në letër kodin QR, me të dhënat e përcaktuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat, dhe t’ia dorëzojë atë transportuesit. Transportuesi duhet ta ruajë këtë dokument gjatë gjithë kohëzgjatjes së transportit të mallrave, nga pika e nisjes deri në destinacion ose derisa t’ia dorëzojë mallrat blerësit dhe detyrohet t’ua vendosë këtë dokument në dispozicion përfaqësuesve të administratës tatimore, sipas kërkesës.
5. Në të gjitha transaksionet e tjera pa para në dorë, kur blerësi nuk është tatimpagues, siç është përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, apo një organ publik, dhe kur ekziston detyrimi për të lëshuar një faturë sipas këtij ligji, fatura, që është paguar ose do të paguhet pa para në dorë mund të lëshohet si faturë elektronike. Blerësi mundet, por nuk është i detyruar ta pranojë si faturë elektronike, prandaj ajo mund të printohet në letër ose t’i dërgohet blerësit nëpërmjet postës elektronike (e-mail) me pëlqimin e tij. Përjashtimisht, pëlqimi i tij nuk është i nevojshëm, nëse blerësi është i regjistruar në platformën qendrore të faturave, të përmendur në nenin 26 të këtij ligji.
6. Tatimpaguesi, që lëshon fatura, mund të lëshojë dhe dërgojë fatura, sipas pikës 5, të këtij neni, kur lëshon fatura që janë paguar apo do të paguhen pa para në dorë, në rastin e eksportimit të mallrave jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ose ofrimit të shërbimeve për blerësit jorezidentë. Nëse blerësi është rezident i një shteti anëtar të Bashkimit Europian, fatura mund të lëshohet si faturë elektronike vetëm me pëlqimin e blerësit.
7. Pëlqimi i blerësit, sipas pikave 5 ose 6, të këtij neni, duhet të jepet me shkrim ose me marrëveshje gjatë përpunimit të faturës ose kryerjes së pagesës së faturës së pranuar.
Neni 25: Faturat elektronike në transaksionet me organet publike
1. Faturat në transaksionet me organet publike duhet të lëshohen, dërgohen dhe pranohen si fatura elektronike, në përputhje me nenin 28 të këtij ligji.
2. Detyrimi për të lëshuar një faturë elektronike, sipas pikës 1, të këtij neni, nuk zbatohet për faturat e lëshuara si rezultat i përmbushjes së një kontrate të prokurimit publik, ku prokurimi dhe përmbushja e kontratës deklarohen të jenë sekrete ose duhet të shoqërohen me masa të veçanta të sigurisë, në përputhje me ligjet përkatëse, rregulloret ose dispozitat administrative, dhe me kusht që interesa me rëndësi nuk mund të garantohen me masa më pak të ashpra.